Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, bëri publike dje një tabelë të agjencive të reja që krijohen në Ministrinë e Arsimit nga shkrirja e disa prej instituteve dhe agjencive aktuale. Tabela duket se është projekti që Ministria e Arsimit do t’i paraqesë mbledhjes së qeverisë ku në Qendrën Kombëtare të Kërkimit Shkencor do të përfshihen Akademia e Shkencave, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe shumë institute për kërkim-zhvillim. Gjithashtu, Agjencia për Zhvillimin dhe Financimin e Shkencës dhe Inovacionit do të ketë në përbërje të saj edhe Agjencinë Kombëtare të Certifikimit Elektronik, Agjencinë e Kërkimit dhe Inovacionit dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit. Tek Entet Rregullatore të kësaj ministrie, Autoriteti Shqiptar për Cilësinë e Arsimit Parauniversitar do të shndërrohet në Inspektoratin e Arsimit.












