Një amendament në ligjin e Policisë së Shtetit pritet të ndryshojë hierarkinë e policisë edhe më dy grada të reja, “inspektor i parë” dhe “inspektor i dytë”. Shtimi i këtyre dy gradave do të sjellë efekte financiare shtesë në buxhetin e policisë së Shtetit.
Bazuar në kriteret e përcaktuara në projektligji, parashikohet që grada “inspektor i parë” t’iu jepet rreth 1000 punonjësve, ndërsa “inspektor i dytë” rreth 1135 punonjësve. për punonjësit e policisë të cilëve do t’u jepet grada “inspektor i parë”, parashikohet që paga për gradë të bëhet 54 500 lekë, aq sa ishte paga për gradë e kryeinspektorit, shkruan gazeta Shekulli.
Efekti financiar i përllogaritur për gradën “inspektor i parë” është 66 milionë lekë. Shtesa prej 5500 lekë, përllogaritet referuar pagës për gradë prej 54 500 lekë të parashikuar për gradën “inspektor i pare”, minus pagën për gradë prej 4900 lekë që marrin aktualisht këta punonjës të cilët mbajnë gradën “inspektor”. Për punonjësit e policisë të cilëve do t’u jepet grada “inspektor i dytë”, parashikohet që paga për gradë të bëhet 52 000 lekë. Efekti financiar i përllogaritur për gradën “inspektor i dytë” është 40 860 000 lekë. Shtesa prej 3000 lekë, përllogaritet referuar pagës për grade prej 52 000 leke to parashikuar për gradën “inspektor i dyte”, minus pagën për gradë prej 4,900 lekë që marrin aktualisht këta punonjës të cilët mbajnë gradën “inspektor”.

Efekti total financiar që rrjedh nga zbatimi i këtij projektligji përllogaritet në shumën 106 860 000 lekë. Duke qenë se ky efekt nuk është parashikuar në buxhetin e policisë së Shtetit të vitit 2017, në projektligj parashikohet që hyrja në fuqi e neneve 6, 7 dhe 9 to cilat parashikojnë shtimin e gradave “inspektor i parë” dhe “inspektor i dytë” të bëhet me 1 janar 2018, me qëllim planifikimin e fondeve përkatëse në programin buxhetor të policisë së Shtetit për vitin 2018.
Në propozimet e deputetëve për herë të parë parashikohet edhe “policimi vullnetar”, si bashkimi vullnetar i kontributeve të vetëofruara nga shtetasit, në ndihmë të policisë së Shtetit, për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, parandalimin e krimit dhe përballimin e situatave të emergjencave civile.
Sipas tabelave të Ministrisë së Financave, që pritet të miratohen javën në vijim, punonjësit e policisë marrin një pagë mesatare prej 58.930 lekë në muaj, teksa në shtesat e propozuara do të përfitojnë mesatarisht 69 mijë lekë në muaj. Me formulën e propozuar duket se nuk do të ketë një rritje të lartë të pagave të drejtuesve, por do të përfitojnë më shumë oficerët me gradë më të ulët. Kryeinspektori do të përfitojë 9500 lekë në muaj më shumë rrogë, ndërsa nën/komisari dhe komisari do të kenë një rritje në rrogë me 8 mijë lekë në muaj.











