Prapa 1.3 ton kanabis të kapur mbrëmjen e kaluar në Kavajë, dyshohet se qëndron djali i një ish-zyrtari të Policisë.
Fjala është për Klejdi Hajdari, i biri i Artur handarit, ish-Shefit të Krimeve në Gramsh, dhe aktualisht punonjës policie në një komisariat tjetër.
Mësohet se Artur Hajdari, është shoqëruar nga policia pas zbulimit të drogës në plazhin e Gjeneralit. Hetimet për drogën po ndiqen nga afër edhe nga Arsen Sinemati, zëvendësdrejtor i Policisë së Tiranës, nisur nga fakti se në rrjetin e trafikut dyshohet si i përfshirë djali i ish-zyrtarit të policisë. Burime të Lapsi.al thonë se prania e Sinematit mund të ketë lidhje me zbutjen e pozitës së djalit të zyrtarit të policisë. Gjithsesi, ky informacion mbetet për t’u verifikuar.
Nga të dhënat policore, rezulton se Klejdi Hajdari ka qenë edhe më parë person i dyshuar për shitjen dhe shpërndarjen e farës së kanabisit në zonën e Gramshit, në kohën kur i ati i tij ka qenë Shef i Sektorit Kundër Krimeve në Komisariatin e atij qyteti. Por, dyshimet ndaj tij nuk janë arritur të provohen nga hetimet e mëparshme.
Ndërkohë, prej mbrëmjes së djeshme, Klejdi Hajdari gjendet i shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë dhe pritet të kryhen veprimet e tjera procedurale ndaj tij dhe dy personave, me të cilët shoqërohej.












