Kryeministri Edi Rama është takuar me kandidatin e PBDNJ për Himarën pak javë para se ai të shpallej zyrtarisht kandidat. Biseda u zhvillua gjatë një pritje të shtruar nga ambasadori grek në Tiranë, Rokanas në fund të marsit.
Rama i ka thënë Belerit se është i lirë të kandidojë kudo por se koalicioni i majtë do të ketë kandidatin e vet. Ai ka theksuar se për Himarën do të ketë betejë të ashpër elektorale dhe Himarën do ta fitojë PS.
Fredi Beleri nga ana e tij ka kërkuar nga kryeministri që të ketë bashkëpunim të mirë pas zgjedhjeve mes bashkisë dhe qeverisë duke lënë të kuptojë se do ta fitojë ai Himarën.
Ndërkohë kryetari i OMONIA-s që ishte i pranishëm në bisedë i ka kërkuar kryeministrit që të sigurojë zgjedhje të lira.
Kandidimi i Fredi Belerit zgjoi debat në Tiranë për shkak të përfshirjes së tij në forcat e MAVI që sulmuan postën e Peshkëpisë në vititn 1994 duke vrarë dy ushtarakë shqiptarë. Ndërkaq ai është dënuar në vitin 2003 nga gjykata e Vlorës për përdhosjen e simboleve kombëtare.











