Partia demokratike reagon për ngjarjet e fundit në Kumanovë.
Për PD, dhuna dhe mjetet e forcës janë rruga më e gabuar për të zgjidhur problemet, ndërsa i bën thirrje autoriteteve maqedonase të garantojnë jetën dhe pronën e popullatës civile
“Partia Demokratike po ndjek me shqetësim të thellë situatën në Maqedoni në zonën e Kumanovës. Lajmet se si pasojë e konfliktit kanë humbur jetën disa persona, midis tyre edhe fëmijë, janë thellësisht tronditëse. Fakti se konflikti po zhvillohet në një zonë të populluar mbart rrezikun e lëndimit apo dëmtimit të civilëve të tjerë. Dhuna dhe mjetet e forcës janë rruga më e gabuar për të zgjidhur problemet. Partia Demokratike u bën thirrje autoriteteve maqedonase të garantojnë jetën dhe pronën e popullatës civile. Përdorimi disproporcional i forcës është i dëmshëm. Partia Demokratike i kërkon popullatës shqiptare dhe faktorit politik shqiptar në Maqedoni, të ruajnë gjakftohtësinë dhe të shmangin provokimet. Stabiliteti dhe integrimi Euroatlantik i Maqedonisë është interes jetik i qytetarëve të saj. Respektimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit është një rrugë e sigurt drejt këtij qëllimi”, thuhet në deklaratën e PD-së.












