Presidenti Nishani vlerësoi sot se reforma në fushën e drejtësisë është e një rëndësie vendimtare për vendin, në një takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, zotin Nicholas Cannon Obe. Ai siguroi se Presidenti i Republikës mbetet plotësisht i përkushtuar dhe i vendosur për të bërë çdo përpjekje për ta çuar këtë reformë përpara.
Ambasadori Cannon vuri në dukje se vetëm një reformë e suksesshme dhe e qëndrueshme në sistemin e drejtësisë mund të çojë vendin përpara.
Ambasadori informoi se si Komisioni i Venecias ashtu edhe Fondacioni Slynn do të jenë pjesë e reformës qoftë në hartimin e strategjisë, qoftë në hartimin e ligjeve përkatëse. Ai mirëpriti rolin drejtues, monitorues dhe motivues të Presidentit në këtë proces, me besimin se ky oportunitet për realizimin e reformës nuk do të humbet.











