Shtyhet sërish seanca gjyqësore në gjykatën e Apelit të krimeve të rënda, në ngarkim të Arben Frrokut. Shkak i shtyrjes së seancës së sotme, ka qenë mungesa e Frrokut, i cili, nëpërmjet avokatëve ka paraqitur një raport mjekësor. Kërkesa e për shtyrjen e seancës së sotme, u pranua nga trupi gjykues, i përbërë nga pesëshja, Fehmi Petku, Nure Dreni, Albana Boksi, Dhimitër Lara dhe Amarildo Laçi.
Kjo është seanca e dytë e ëktij gjykimi, e cila nuk zhvillohet. Edhe seanca e parë u shty, ndërsa Arben Frroku u paraqit në gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, por mungonin avokatët e tij.
Pritej që seancën e sotme të fillonte shqyrtimi i animimit të Prokurorisë kundër deklarimit të pafajshëm të Arben Frrokut nga gjykata e Shkallës së Parë e krimeve të rënda.
Në ankimin e depozituar në Apel, Prokuroria për Krimet e Rënda pretendon se Gjykata e Shkallës së Parë ka gabuar kur ka deklaruar të pafajshëm të dyshuarin Arben Frroku për akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese” në dëm të kryekomisarit Dritan Lamaj.
Sipas organit të akuzës, Shkalla e Parë ka gabuar në vlerësimin e dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur, Arben Ndoka.











