Iframe
Shikoni episodin “Russia continiues info-war tactics in US”
Rachel Maddow
Në emisionin e të martës në mbrëmje, Rachel Maddow – një nga gazetaret politike më të vlerësuara të rrjetit MSNBC, foli për ndikimin e Rusisë në zgjedhjet e fundit presidenciale në Amerikë, me anë të faqeve on-line, të vendosura në Shqipëri dhe Maqedoni.
Ajo tha se faqe të ndryshme në rrjetet sociale në emër të kandidatit Demokrat Bernie Sanders të menaxhuara nga Shqipëria, kanë tentuar të armiqësojnë votuesit e Sanders me ata të kandidates tjetër Demokrate Hillary Clinton. Duke çuar kështu në humbjen e kësaj të fundit.
Sipas Maddow këto faqe nuk janë drejtuar thjesht nga disa të rinj për të fituar klikime me “fake news”, por janë taktika të luftës kibernetike që Rusia i ka shpallur Amerikës.
Në shkurt të vitit të kaluar, Andrey Krutskikh, këshilltari i Presidentit rus Vladimir Putin për Luftën Kibernetike, tha në Forumin e Sigurisë Informatike në Moskë se shërbimet ushtarake dhe inteligjente ruse kishin zhvilluar të ashtuquajturën “bomba atomike” e informacionit ndaj Amerikës.
Një nga taktikat e kësaj beteje ishte krijimi i faqeve robotike për të armiqësuar votuesit demokratë me njeri-tjetrin. Targeti kryesor i këtyre faqeve automatike ishin mbështetësit e kandidatit Demokrat Bernie Sanders. Fushata e Sanders u përball me një “cunami” faqesh në Facebook dhe Twitter në emër të tij, që shpërndanin lajme të rreme (fake news) për kandidaten Hillary Clinton. Kur administratori i faqes “Bernie Sanders San Diego”, John Mattes, nisi t’i gjurmonte këto faqe, zbuloi se ishin të regjistruara në Shqipëri dhe Maqedoni.
Fillimisht u përfolën si faqe të hapura nga njerëz jashtë SHBA, që krijonin “fake news” për qëllime komerciale (fitime nga klikimet), por sot, administratorët e fushatës së Bernie Sanders, besojnë se nuk mund të jenë kurrsesi thjesht për qëllime komerciale.
Kjo u përforcua edhe më shumë të hënën nga drejtori i FBI James Comey, i cili tha se “sulmet robotike” online janë pjesë e investigimit të FBI ndaj fushatës së Trump. Comey tha se po hetohet nëse janë të vërteta përpjekjet e paligjshme të Rusisë për të ndihmuar në zgjedhjen e Donald Trump si president i SHBA dhe nëse ekipi i Trump ka bashkëpunuar me skemën e Moskës.
Por si funksionojnë këto faqe robotike?
Rachel Maddow thotë se teknologjia robotike gjurmon postimet e rrjeteve sociale me fjalë kyçe si psh. “Hillary Clinton” dhe shpërndan lajme të rreme të përgatitura më parë nga personat që e menaxhojnë.
Në nëntor të vitit të kaluar, pak kohë pas zgjedhjeve, kërkues të universitetit të Oxford-it publikuan një studim për postimet në Twitter gjatë javës së fundit të zgjedhjeve (1-9 nëntor). Sipas studimit, nga rreth 20 milionë postime për fushatën elektorale, faqet robotike krijuan rreth 20% të tyre dhe pothuajse të gjitha ishin pro Donald Trump.
Prej dy javësh gazetarja Rachel Maddow në emisionin e saj “The Rachel Maddow Show” ka publikuar investigime që lidhen me fake news, fushatën e fundit elektorale në Amerikë dhe ndikimin e Rusisë në zgjedhjen e Donald Trump, duke kaluar me audiencë edhe programet e CNN dhe Fox News. Historia Ime











