Një mjek neuropsikiatër në Shkodër, i cili lëshonte vërtetime mjekësore false, është ndaluar nga policia. Sipas burimeve zyrtare ët drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës, mësohet se mjeku i ndaluar është Gjon Preçi, 51 vjeç. Të njëta burime saktësuan se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë edhe ndaj pacientit me iniciale V. K., 62 vjeç banues në Kukës. Mësohet se mjeku, i cili punon në spitalin e Shkodrës, i kishte lëshuar 62-vjeçarit një vërtetim mjekësor fals kundrejt një pagese të caktuar.
Por ky nuk është rasti i parë që neuropsikiatri vihet në qendër të hetimeve. Me 15 dhjetor 2014 nisën hetimet ndaj Gjon Preçit dhe 2 mjekeve të tjerë, që kishin lëshuar raport mjekësor për paaftësi të përkohshme për punë për 42-vjeçarin me iniciale P. Rr., nga fshati Grudë i Shkodrës, me argumentimin se ai vuante nga problemet mendore.
Ditën që është lëshuar raporti, sipas prokurorisë, 42-vjeçari kishte qenë me pushime jashtë shtetit. Mësohet se ky shtirej si njeri me probleme mendore për të marrë raport nga puna, ditë të cilat i shfrytëzonte më pas për të bërë pushime.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, në ngarkim të shtetasit Gjon Preçi për veprat penale të “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe për shtetasin V. K., për veprën penale të “korrupsion aktiv ndaj personit që ushtron funksione publike”.











