Një shtetas shqiptar është arrestuar dje nga karabinierët e Pomecias, nën akuzën e tentativës për vrasje të një tjetër shqiptari.
Gjithçka nisi nga një grindje e vogël, e më pas 20-vjeçari me inicialet S. K., goditi me thikë bashkatdhetarin e tij në plazhin e zonës Torvaianica, raportojnë mediat italiane.
I plagosuri u dërgua menjëherë në spitalin Sant’Anna të Pomecias, ku iu nënshtrua një operacioni.
Ndërsa 20-vjeçari pasi plagosi patriotin e tij, u largua duke u munduar të humbë gjurmët në turmën e njerëzve që ndodheshin në plazh.
Ndërhyrja e menjëhershme e karabinierëve pasi mblodhi dëshmitë e disa plazhistëve arriti ta ndjekë shqiptarin. Ai ishte fshehur në kasollen përgjatë plazhit e një tjetër shqiptari, 42-vjeçarit me inicialet J. A., i cili po përpiqej ta ndihmonte 20-vjeçarin të shpëtonte.
Autoritetet italiane i arrestuan të dy shqiptarët, 20-vjeçarin nën akuzën e tentativë vrasjeje, ndërsa 42-vjeçarin për bashkëpunim në arratisje.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes për të kuptuar motivet e plagosjes.











