Ndryshe nga vitet e kaluara ku prej fillimit të muajit korrik shtohej hyrja e emigrantëve në pikat e kalimit kufitar të qarkut Gjirokastër, për këtë sezon statistikat flasin për reduktim të tyre.
Kriza që ka përfshirë vendin fqinj ka bërë që emigrantët shqiptarë të mos kthehen në atdhe, duke vendosur të limitojnë si shpenzimet e mëdha, po kështu edhe ato të përditshme, raporton TV Ora News.
Mesatarisht nga Kakavija si një prej pikave më të mëdha të lëvizjeve në jug të vendit, si në hyrje dhe dalje të territorit shqiptar shënoheshin mbi 180 mijë shtetas në sezonin veror.
Por këtë vit emigrantët nën ndikimin e kësaj krize ekonomike kanë preferuar të mos e braktisin vendin ku punojnë e jetojnë edhe pse pohojnë se jetesa është bërë mjaft e vështirë në vendin fqinj.
Burime nga kjo pikë kalimi pohojnë se gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në territorit shqiptar rreth 1800 shtetas shqiptarë dhe 642 të huaj.
Ndërkohë në dalje janë 1518 shtetas shqiptarë dhe 482 të huaj.
Ndërkohë për emigrantët që kthehen dhe duan të punësohen në rajonin jugor, Zyra Rajonale e Punës Gjirokastër po i jep përparësi punësimit të tyre.
Falë ndërmjetësimit dhe aftësimit të tyre në disa sektorë në vendin fqinj, drejtuesi i kësaj zyre, Eduard Pesha ka pohuar se janë punësuar 12 emigrantë të rikthyer pas efekteve të krizës në Greqi.
Por, ndërkohë janë disa faktorë që i pengojnë emigrantët të mos kthehen në atdhe përfundimisht pasi duan një vend të sigurt pune, fëmijët i kanë të stabilizuar në shkolla dhe e kanë të vështirë për ti larguar.












