Në Kinë janë arrestuar një grup shtetasish të huaj nën dyshimin e shpërndarjes së “videove me përmbajtje terroriste”. Sipas raportimeve të BBC, ndër shtetasit e arrestuar, 9 prej tyre janë britanikë. 6 prej tyre janë dëbuar nga autoritetet kineze, ndërsa tre britanikët e tjerë dhe dy britanikë nga Afrika e Jugut po mbahen në burg. Të arrestuarit janë vizituar nga përfaqësues të konsullatës britanike në Kinë, e cila pretendon se grupi ishte në një tur të thjeshtë turistik. Ndërsa Zhang Xi, zyrtar në lokalitetin e Ordos që po merret me këtë rast, thotë: “Këta persona dyshohen se kanë parë dhe shpërndarë video me përmbajtje terroriste të dhunshme, ndaj dhe u arrestuan”. Grupi prej 20 personash po zhvillonte një tur në Kinën e lashtë, kur papritur u ndaluan më 10 korrik në Ordos, në rajonin e brendshëm të Mongolisë.











