Në operacionin e përbashkët mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Policisë së Vlorës për të evidentuar raste të shkeljeve ligjore në fushën e tatim-taksave, u kontrolluan 200 subjekte dhe u evidentuan 112 shkelje. Kontrolli i ushtruar brenda dy ditëve, në datat 20 korrik 2015 – 22 korrik 2015 evidentoi shkelje për të cilat u morën masat administrative: në 37 prej subjekteve, është marrë masa e Konfiskimit të Mallit, në 75 prej subjekteve, është marrë masa Proces-Verbal Gjobë. Gjobat që iu vendosën subjekteve shkojnë në vlerën 5.865.000 lekë të reja. Mallrat e konfiskuar janë pije alkoolike, pije freskuese, këpucë, produkte kozmetike, produkte farmaceutike dhe një supermarket, ndërsa Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë ka nisur hetimet për punonjësit e organeve tatimorë, për mos-ushtrimin e kontrollit ndaj këtyre subjekteve, të cilat janë në kundërshtim me ligjin. Aktualisht vazhdon operacioni për evidentimin e rasteve të shkeljeve ligjore në fushën e tatim-taksave, fshehjen e të ardhurave, punësim të paligjshëm, informalitetit dhe evazionit fiskal në të gjithë Qarkun e Vlorës.
Për më shumë, mund të lexoni edhe …











