Kreu i Inspektoriatit të Punës në Shkodër është goditur në kokë teksa shkonte në punë. Sipas policisë, paraditen e sotme Agim Shimaj ishte duke shkuar në punë, kur përpara i kanë dalë dy persona dhe e kanë goditur me levë në kokë. Ai është transportuar menjëherë në spital ku ka marrë ndihmën e shpejtë mjekësore, por është jashtë rrezikut për jetën dhe tashmë ka lënë ambientet e Spitalit të Shkodrës.
Agim Shimaj ka shkuar në polici për të denoncuar dhunën e ushtruar ndaj tij, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Dyshohet se sulmi mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës së Shimaj, ndërsa ende nuk bëhet i ditur identiteti i dy agresorëve.












