Gazetari i Top Channel, Sokol Balla ka paditur në gjykatë gazetën online të Kosovës, Telegraf për shkak se kjo gazetë publikoi një shkrim ato ditë me titull “Ja përse u largua nga puna Sokol Balla (Foto)”.
Balla, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me padi, ku kërkon detyrimin e palës së paditur për të ndaluar publikimet dhe heqjen e materialeve të publikuara në të gjitha formatet të cilat, sipas tij janë cenuese të jetës private të paditësit.
Sipas vendimit të gjykatës, gjatë shpjegimeve të palës paditëse rezultoi se paditësi Sokol Balla është një person i njohur në Republikën e Shqipërisë dhe atë të Kosovës, për shkak të drejtimit të një emisioni televiziv në një televizion shqiptar.
“Në muajin Prill 2015 paditësit i është publikuar në mediat online, një regjistrim audioviziv, i bërë në mënyrë të paautorizuar brenda në ambientet e shtëpisë së tij. Kjo ka cenuar rëndë jetën e tij private dhe familjare. Ky fakt u pasua me publikime të ndryshme.
Më datë 22 Prill 2015 në orën 14.44 faqja online “Telegrafi” sh.p.k botoi një shkrim me titullin “Ja përse u largua nga puna Sokol Balla (Foto)”. Ky shkrim shoqërohej edhe me disa foto të paditësit të nxjerra prej videos së publikuar. Paditësi pretendon se në këtë shkrim janë pasqyruar edhe të dhëna të pavërteta duke aluduar se për shkak të videos paditësi është larguar nga televizioni. Në pjesën e komenteve poshtë shkrimit është lejuar të komentohet prej lexuesve me shprehje fyese dhe denigruese. Ky fakt ka dëmtuar rëndë paditësin”, thuhej ndër të tjera në padinë e Sokol Ballës për gazetën online të Kosovës.











