Avokati i Armando Prengës, Baftjar Rusi ka dalë në një deklaratë për mediat, i autorizuar nga klienti i tij. Përmes avokatit të tij, Prenga ka vazhduar të mbrojë versionin e parë të deklaratës së tij të parë. Sipas Prengës, me heshtjen e tij ai ka respektuar organet hetimore dhe kolegët e tij, por e vërteta sipas tij është se ai nuk ka qëlluar askënd, por vetëm ka shtënë në ajër për t’u vetëmbrojtur, pasi familja Cali i ka prerë rrugën dhe ka tentuar ta godasë. Sipas tij, ai nuk ka qenë në momentin kur ndodhi përleshja në komisariatin e Laçit mes vëllaittë tij dhe familjes Cali, duke mohuar kategorikisht përfshirjen e tij në plagosjen e 4 personave.
Sipas deputetit socialist, të gjitha provat që janë paraqitur janë të montuara dhe se arma që ai disponon është me leje. Ai pretendon se familja Cali mund të jetë vetëqëlluar pas konfliktit.
Ndërsa lidhur me reagimet e politikës dhe vendimit për t’i hequr mandatin, Prenga thotë se si opozita dhe pozita po i fryjnë zjarrit dhe se po kërkojnë ta bëjnë kokë turku. Ai thotë se kjo që po i bëhet është një dashakeqësi, dhe se partia e tij e ka futur në gijotinë, ndërsa ndjen keqardhje që u nxituan ta gjykojnë.
Deputeti Prenga kërkon që t’i respektohen të drejtat e njeriut.
Avokati i tij, B. Rusi u shpreh se provat që tregojnë pafajësin ë e prengës do të paraqiten në Parlament.












