Pak orë para zhvillimit të ndeshjes së shumëpritur për kualifikueset e “Euro 2016”-s, Shqipëri-Portugali, Policia e Shtetit ka bërë të ditura masat organizative sa i përket sigurisë, rendit dhe qetësisë”.
Drejtori i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë, Altin Qato, u shpreh se për mbarëvajtjen e kësaj ndeshje do të angazhohet rreth 1000 forca policore.
Policia ka bërë të ditur bllokimin e disa akseve rrugore si dhe ndalimqarkullimin e mjeteve në shëtitoren nga stadiumi deri te “1 Maji”, nga Bashkia deri në dalje të Unazës, në sheshin përpara Pallatit të Sportit “Tomorr Sinani”, nga rrethrrotullimi i luleve deri te ai i Zaranikës, përpara stadiumit apo edhe bulevardi kryesor deri në stadium.
Hyrja e tyre në stadium do të nisë që 3 orë përpara ndeshjes në mënyrë që të shmangen radhët e gjata, por edhe për shkak se këtë herë do të jetë një risi në pajisjen e tifozëve me bileta elektronike, të cilat i kanë prenotuar përmes sistemit online dhe jo nga shitja nëpër sportele. Për herë të parë në Shqipëri, në një ndeshje ndërkombëtare tifozët e futur në stadium do të jetë të identifikuar falë kësaj risie.
Në stadium nuk do të lejohet marrja e fëmijëve të mitur pa u pajisur me biletë, ndërkohë që sportdashësve u kërkohet që të mos mbajnë me vete sende të forta, si shishe plastike apo fishekzjarre, pasi në të kundërt nuk do të lejohen të futen.
Gjithashtu, nga ora 12 e mesditës e deri në përfundim të ndeshjes, të gjitha lokalet në afërsi të stadiumit do të jenë të mbyllura.
Portugezët nuk e thonë por janë të trembur
Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos deklaroi në Tiranë se skuadra e tij duhet të jetë në nivel të lartë nëse dëshirojnë të largohen nga Shqipëria me rezultat pozitiv.
![]()
“Nëse duam të fitojmë, është e nevojshme të jemi agresivë, dinamikë, të tregojmë dëshirë në fushë dhe të shfrytëzojmë rastet. Kualiteti ynë mund të bëjë diferencën”, u shpreh ai.
Santos ka thënë se dëshiron vetëm fitoren përballë Shqipërisë ndërsa për Ronaldon tha se ai është shumë i motivuar për sfidën me kuqezinjtë.
“Objektivi ynë është vetëm fitorja. Edhe Cristiano Ronaldo është i motivuar të ndihmojë skuadrën pavarësisht se nuk ka shënuar në tre ndeshje. Shqipëria ka një skuadër shumë të mirë, me lojtarë cilësorë, ku forca e vërtetë është kolektivi dhe fakti që japin gjithçka në fushë. Nuk kam frikë, por vetëm vlerësime për punën e kolegut De Biasi, që ka ndërtuar një ekip të mirëorganizuar dhe që luan për fitore”, vazhdoi Snantos.
Trajneri i Portugalisë ka thënë se sfida me Shqipërinë të hënën në mbrëmje dhe ajo me Danimarkën në shtëpi, janë vendimtare për kualifikimin direkt.
Ndërkohë, Ricardo Quaresma shpreson t’i shkaktojnë humbjen e parë Kombëtares kuqezi në kualifikueset e Euro 2016.
“Objektivi ynë i vetëm është fitorja. Kemi ardhur të marrim tri pikët edhe pse jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë e lehtë, pasi Shqipëria është pranë kualifikimit në Euro 2016. Shqipëria ka shpirt loje, kundërsulm të rrezikshëm dhe për këtë arsye ende nuk ka humbur në grup. Shpresoj që humbja e parë të vijë me Portugalinë”, tha ai.












