Autoritetet italiane kanë sekuestruar një avion të vogël, që transportonte lëndë narkotike nga Shqipëria drejt shtetit fqinj. Sipas mediave italiane, avioni ishte modifikuar për të transportuar rreth 80 kg kanabis gjatë çdo fluturimi.
Policia ka vënë në pranga 4 personat që merreshin me shpërndarjen e drogës në Itali, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, ndërsa po punohet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës.
Sipas hetuesve, avioni nisej nga pista të vogla në Shqipëri, për të shmangur kontrollet në kufi. Avionit i ishte hequr sedilja e ndihmës/pilotit, për të siguruar hapësirën e nevojshme për transportimin e lëndës narkotike.
Pak ditë më parë, policia italiane shkatërroi një grup kriminal që trafikonte drogë nga Shqipëria drejt Italisë me avion sportiv. Të paktën 14 persona, mes tyre dhe punonjësi i policisë Vladimir Zanaj, përfunduan në pranga, në kuadër të një operacioni të përbashkët antidrogë mes policisë italiane dhe asaj shqiptare të koduar “Fluturimi i lirë”.












