Gjykata e Lartë vendosi masën e sigurisë me arrest me burg ndaj deputetit socialist. Armando Prenga mbërriti në Gjykatën e Lartë i shoqëruar me policë dhe me pranga në duar rreth orës 1 të mesditës ndërkohë procesi i tij ka zgjatur për tri orë rresht.
Pas orës 4 të pasdites trupi gjykues është tërhequr për të marrë vendimin për vlerësimin e masës së sigurisë
Gjykata e Lartë hodhi dje shortin menjëherë pasi Kuvendi miratoi me 118 vota pro, heqjen e mandatit për deputetin socialist. Shorti përcaktoi trupën gjykuese prej 5 gjyqtarësh, që kryesohet nga Mirela Fana, ndërsa anëtarë janë Artan Broci, Edmond Islamaj, Artan Zeneli dhe Tom Ndreca, të cilët do të vendosin për fatin e Armando Prengës.
Deputeti socialist ka qëndruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë që prej arrestimit të tij të dielën. Mbi të rëndojnë 3 akuza, “armëmbajtje pa leje”, “plagosje e rëndë me dashje” dhe “kanosje”, pas përfshirjes së tij në një konflikt në Laç ku mbetën 7 të plagosur, dia prej të cilëve me armë zjarri.
Gjykata la një muaj në burg, Anton Lekën, shokun e deputetit socialist Armando Prenga, të dyshuar si i përfshirë në konfliktin me familjen Cali.
Më pas gjykata ka marrë vendimin për Gjergj Calin me masën e detyrimit të paraqitjes.












