Kandidati për deputet Eduard Ndocaj ndërkohë edhe nënkryetar i PDK-së, kërkoi sot nga kryesia e Kuvendit që Lezha të ketë përfaqësuesin e saj në Parlament.
“Megjithëse agjenda në Parlament është shumë e ngarkuar, duhet të theksojmë se qytetarët e Qarkut Lezhë vazhdojnë të mos jenë të përfaqësuar në Parlament. Kjo e drejtë Kushtetuese po mohohet nga burokracitë e institucionit të Parlamentit. Nuk duhet të harrojmë se sot Lezha ka dy deputetë më pak. I bëj thirrje institucionit të Parlamentit dhe Kryetarit të Parlamentit të ndjek procedurën e krijimit të vendit vakant dhe të zëvendësimit. Këto janë procedura të bazuar në Kodin Zgjedhor dhe në Kushtetutë. Lezhjanë nuk mund të vazhdojnë të jenë të përjashtuar nga përfaqësimi në Parlament. I bëj thirrje Kryetarit të Parlamentit të mos tentojë të bëj politikë apo të mbaj inate politike, por të zbatojë ligjin dhe procedurat ligjore për rastin e zëvendësimit të vendeve vakant”, deklaron Eduard Ndocaj i cili pret të zëvëndësojë në Parlament, deputetin Arben Ndoka që dha dorëheqjen pak ditë më parë.











