Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, i është drejtuar zyrtarisht ditën e sotme Ministrive të Drejtësisë dhe trupit diplomatik të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, me një kërkesë për vënien në dispozicion të informacionit që disponohet lidhur me rekordet penale të të gjithë shtetasve shqiptarë që kanë qenë objekt i shqyrtimit apo i regjistrimit në zyrën e gjendjes gjyqësore të këtyre shteteve.
Në këtë kuadër asistencë i është kërkuar edhe Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministri Naço shpreh vendosmërinë e institucionit që ai drejton për të siguruar suksesin e realizimit në praktikë të kësaj nisme të Qeverisë Shqiptare, duke vlerësuar se informacioni që do të sigurohet do t’i shërbejë përmirësimit të sistemit për mbajtjen e rekordeve penale, përditësimit dhe mbrojtjes së këtyre të dhënave, si dhe rritjes të besimit të publikut, në veprimtarinë e organeve të shtetërore, institucioneve të pavarura apo të administratës publike.

Konkretisht marrja e këtij informacioni do të mundësojë krijimin dhe përmirësimin e një baze të dhënash të përditësuara, ku do të jenë të evidentuar të gjithë shtetasit shqiptar që janë proceduar apo janë gjykuar në shtetet respektove për çështje të ndryshme penale apo administrative.












