Qeveria vendos të centralizojë marrëdhëniet me jashtë nëpërmjet një vendimi të qeverisë publikuar në numrin e fundit të fletores zyrtare.
Sipas këtij vendimi ministria e Jashtme do të jetë qendër koordinimi dhe vendimarrje për të gjitha aktivitetet institucioneve shtetërore në marrëdhëniet me vendet e tjera, ambasadat e huaja si dhe organizatat ndërkombëtare.
Çdo ministër, zv/ministër apo zyrtar tjetër duke përfshirë kryebashkiakët, që marrin kontakt me të huaj duhet të raportojë me një relacion me shkrim në Ministrinë e Jashtme.
Ja vendimi:
Ministrat e zëvendësministrat, drejtuesit e institucioneve qendrore në varësi të kryeministrit e të ministrave, drejtuesit e institucioneve të tjera të administratës shtetërore dhe të organeve të pushtetit vendor, në deklaratat verbale e të shkruara dhe intervistat për probleme të rëndësishme të marrëdhënieve me jashtë duhet të jenë në përputhje me programin e qeverisë për politikën e jashtme të Republikës së Shqipërisë. Për çështje të politikës së jashtme të një rëndësie të veçantë, funksionarët e lartpërmendur, në deklarimet e tyre publike duhet të konsultohen paraprakisht me Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Të gjithë këta funksionarë, në korrespondencën me ambasadorë e përfaqësues të tjerë të huaj, të akredituar në Republikën e Shqipërisë, për çështje me karakter politik ose me rëndësi për marrëdhëniet e Republikës së Shqipërisë me shtetet e tjera apo organizatat ndërkombëtare, duhet të njoftojnë paraprakisht Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila jep me shkrim mendimin e saj për qëndrimin që duhet mbajtur.
Të gjithë këta funksionarë, për veprimtaritë ku marrin pjesë dhe bisedimet që realizojnë me personalitete të huaja, brenda dhe jashtë vendit, të dërgojnë, brenda 7 (shtatë) ditëve pune nga data e përfundimit të veprimtarisë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Kryeministri një relacion. Relacioni duhet të përmbajë të dhënat për qëllimin dhe objektin e veprimtarisë, për ecurinë e bisedimeve dhe për rekomandimet përkatëse për çështjet e diskutuara.
Vizitat zyrtare dhe të punës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave jashtë shtetit zhvillohen me miratimin e Kryeministrit, pasi ministri i Punëve të Jashtme të jetë shprehur me shkrim. Kërkesa për miratimin e vizitës i drejtohet njëkohësisht, kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme. Anëtarët e Këshillit të Ministrave brenda çdo tremujori paraqesin me shkrim pranë kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme planin e vizitave jashtë vendit për tremujorin në vazhdim.
Të gjithë këta funksionarë nuk mund të pranojnë ose të refuzojnë ftesa zyrtare nga homologët e tyre si dhe nuk mund të dërgojnë ftesa zyrtare, pa u këshilluar më parë me Ministrinë e Punëve të Jashtme.












