Policia Shkencore, ka hedhur dritë mbi vrasjen e trefishte pranë Fakultetit të Shkencave të natyrës, në fundin e muajit maj të këtij viti.
Italiani Salvatore Letizzia dyshohet se ka ekzekutuar shtetasin Gerti Goxhaj, ndërsa Besnik Sulku që mbeti i vrarë nga shkëmbimi i zjarrit, ka qëlluar për vdekje Mentor Lufin.
Në këtë konkluzion kanë arritur ekspert të policisë shkencore, të cilët raportin disa faqesh e kanë dorëzuar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.
Sipas këtij raportit, thuhet se nga arma e llojit “Gloc” që kishte në përdorim italiani Letizzia ka gjetur vdekjen shtetasit Gerti Goxhaj. Kjo për faktin se nga ekspertimi krahasues e balistik i gëzhojave të gjetura pranë trupit të Gerti Goxhajt kanë rezultuar se janë qitur nga arma që italiani Letizzia kishte në përdorim dhe që tentoi ta fsheh duke e hedhur në një shkurre aty pranë. Vetë italiani i dyshuar si vrasës me pagesë, ka mohuar vrasjen, duke pretenduar se ka qëlluar vetëm në ajër dhe jo në drejtim të makinës së llojit BMW brenda të cilit ndodheshin viktimat Gerti Goxhaj dhe Mentor Lufi.
Ky i fundit, sipas raportit të laboratorit të policisë shkencore, është vrarë nga arma e llojit “Makarov” që është gjetur pranë viktimës Besnik Sulku. Për ekspertët kjo është provuar nga ekzaminimi balistik e krahasues i gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes.
Burimet thanë se laboratori ka faktuar edhe shkencërisht pretendimet e Markelian Doçit, i cili ka pranuar se e ka vrarë Besnik Sulkun menjëherë pasi ai e kishte qëlluar dajën e tij, Mentor Lufin. Sipas raportit të policisë shkencore, nga arma e Doçit ka gjetur vdekjen Sulku pak metra nga vendi ku janë ekzekutuar Gerti Goxhaj dhe Mentor Lufi pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në kryeqytet.
Nga ana tjetër, burimet thanë se prokuroria është në pritje të letër-porosisë nga autoritete holandeze, për të provuar faktin se kjo vrasja ka ndodhur për shkaka të hakmarrjes. Pasi dyshohet se dy nipat e Mentor Lufit me porosi të këtij të fundit kanë ekzekutuar në Roterdam të Holandës shtetasin Durim Sulku, vëllan e Besnik Sulkut. Çka ky i fundit së bashku me italianin Letizzia kishin planifikuar ekzekutimin e Mentor Lufit.












