Giorgio Riformato piloti Italian i cili pretendon pafajësi për trafikun e drogës me avion nga Divjaka, fillon betejën e tij me prokurorinë shqiptare në Gjykatën e Krimeve të Rënda. 60-vjeçari është përballur me dëshmitarët e sjellë në këtë proces nga organi i akuzës.
Ky është Erion Pipero me detyrë kontrollor në aeroportin e Rinasit. Ai ka qenë personi që ka komunikuar me Riformaton ditën kur ai u ul në plazhin e Divjakës për t’u ngarkuar me drogë.
Sipas Piperos, piloti italian kishte fillimisht destinacion daljen nga hapësira po pas 5 minutash ka devijuar. Ai vazhdoi në dëshminë e tij se pasi ishte lidhur me pilotin, ky i fundit i kishte thëne në italisht se ishte duke testuar avionin. Por 20 minuta më vonë kur devijoi nga trajektorja Riformato u shpreh se donte të shihte bregdetin shqiptar.
Punonjësi i “Alb Kontrollit” sqaroi më tej se në asnjë moment Riformato nuk raportoi për ndonjë defekt. Tjetër gjë pretendon Riformato i cili pati dhe një debat në sallë me Piperon. Piloti i arrestuar sqaroi se i kishte thënë Rinasit se kishte një defekt dhe i duhet të gjente një vend për ulje emergjente dhe për këtë zgjodhi plazhin e Divjakës.
Ngjarja për të cilën akuzohen të pandehurit, ndodhi në 9 maj të vitit të kaluar kur avioni që dyshohet se do transportonte drogën. Në afërsi të mjetit fluturues polica gjeti 340 kg kanabis sativa të paketuar e destinuar të trafikohej drejt Italisë.
Riformato i ka qëndruar pohimeve të dhëna para prokurorëve pas arrestimit, se nuk ka lidhje me akuzat që i ka ngritur prokuroria. Nga hetimet, ka rezultuar se organizator i këtij trafiku është shtetasi Saimir Bajrami dhe dy paketuesit e lëndës narkotike Kleviol Ahmetaj dhe Aurel Pupa me të cilët Riformato ka mohuar të ketë pasur njohje të mëparshme. Por ndërsa të pandehurit e tjerë kërkuan gjykim të shkurtuar, duke pranuar akuzën Riformato vazhdon t’i qëndrojë kërkesës për pafajësi.
(TV Klan)












