Një bose e një karteli të frikshëm në Meksikë, përfundoi e dorëzuar në polici nga i dashuri i saj, pasi ai tha se ajo ishte bërë monstër.
Melissa ‘La China’ Calderon u spiunua nga zëvendësi i saj, që ishte njëkohësisht i dashuri. Pedro ‘El Chino’ Gomez tha se ajo kishte dalë jashtë kontrollit.
La China akuzohet për mbi 180 vrasje. Ajo i rrëmbente viktimat dhe pasi u ndante në copa, mbetjet i hidhte tek dera e familjes së tyre.
La China u kap të shtunën, pasi El Chino ofroi informacion për autoritetet, duke kërkuar lehtësim të dënimit. Melissa Margarita Calderon Ojeda, 30 vjeç, e njohur me emrin La China (Aziatikja), u përfshi në krim në vitin 2005, kur nisi të punonte për kartelin Damaso. Shumë shpejt i ngjiti shkallët në drejtim pasi ishte e pamëshirshme. Në vitin 2008 mori drejtimin e krahut të armatosur të kartelit.
Vrasje të shumta pasuan që kur ajo u vendos në krye të krahut të armatosur.
Edhe pse grupi dominohet nga meshkujt, ajo frymëzoi besnikëri tek trupat e saj. Së fundmi ajo ngriti kartelin e saj dhe kishte nën urdhra mbi 300 shpërndarës droge dhe ushtarë. Ata përdornin motoçikleta të kuqe për të identifikuar veten. Ajo operonte në një resort turistik, ku vrasjet u gjashtëfishuan brenda pak kohësh.












