Cila është ngjarja më shënuar mbrëmë?
Për mua as muri i madh kinez hungarez, as përpjekjet e FSHF për të siguruar stadiumin e Elbasanit nga ajri, toka, deti, me nëndetëse, apo nga liqenet e Belshit, as mbledhja e Këshillit të Europës që po përgatitej, asgjë përpara asaj që ndodhi, kur Papa në vizitë në ShBA, nga aeroporti, ku e priti presidenti Obama, shkoi në qytet me një makinë Fiat, topolino, Fiat 500.
Unë do të doja të kishte shkuar me një Vespa 80 kubikshe, por edhe me Fiatin 500 nuk është keq.
Nga sa e njoh historinë e Kishës, edhe aq keq jo, ky gjest më është dukur më i larti, pas atij të kryepeshkopit tê Reimsit që pasi e martoi një vajzë katolike me shefin e barbarëve ostrogotë që ishin derdhur rrugëve të Europës, pak e nga pak bëri që e shoqja t’ja hajë zemrën dhe ta kthejë në katolik. Perëndimi shpëtoi. Pikërisht nga ajo vajzë e re. Po ku i pranon historia institucionale plot pompë këto arsyetime…
Fiati i Papës shoqërohej nga makina të blinduara. Me të drejtë, por Ai, ati i madh, i tregoi gjithë botës se shpesh në kohët tona, bishti rëndon më shumë sesa sqepari. Ai që ruan rrëshket në një lëvozhgë veze, kurse ata që e ruajnë ecin mbi elefantë.
Ai shenjtëroi dje atë që ka më pak përpara atij që ka shumë.
Ai qeshte nga dritarja e hapur e Fiatit që drejtohej nga një prift. Cfarë donte të thoshte ? Se më mirë një Fiat topolino, nga ata më të lirët, apo një wolksfagen të madh, por gënjeshtar… ??? Jo, nuk bën Ati i Shenjtë reklamë, por besoj se prodhuesit e Fiatit dje kanë pasur falas reklamën më gjigande në botë. Të të gjitha kohërave.
Me hallall! Eh, cfarë veture është fiati, Fiati mileçento, cinquecento, Fiati Punto…Ata më të lirët, që punojnë si grenxa.
Po ku marrin erë askërkundarët nga këto.
Por, nuk është kjo e rëndësishme. Papa mbrëmë na tregoi se vlerat dhe modestia në jetë mund të shkojnë bashkë. Sa horra, budallenj, mafiozë, maskarenj, idiotë, mashtruesa, ka edhe midis atyre që mbajnë vetura të mëdha e të shtrenjta në botë!!! Por, ja Ati i shenjtë na thotë : Nuk është veladoni që e bën Priftin! Nuk është pamja e jashtme që tregon të vërtetën e thelbit.
Vlera e vërtetë nuk ka nevojë për pompozitet, luks, madhështi, e, kundërta është e vërtetë, fallciteti nuk e përballon dot ekzistencën, ai ka nevojë për skenografi piramidale.
Kërkoni shumë materialisht – tha Papa – bash kur kamerat e gjithë botës ishin drejtuar te ai, pa folur, se e shenjta flet pak. I keni hypur kalit mbrapsht. Gëzim nuk merr te konsumimi gjithnjë e më i madh, kam një veturë dua të kem pesë, kam një mijë lekë dua të kem një miliardë lekë, kam një shtëpi dua të kem tridhjetë vila, ha një byrek dua të ha pesëdhjetë byrekë në ditë.
Jeni viktima të egos tuaj o të mjerë, kërkoni të kapni hijen tuaj duke e vrapuar dhe nga ky vrap do të mekeni. Planetin e shkatërruat, plehrat i keni bërë stoqe, karburantin e digjni si në ferr, mendja dhe shpirti u është bërë rob i materiales.
Kurse qenia njerëzore është bërë të gjejë lumturi edhe me veten e vet, edhe me pak, edhe me jetën e vet trupore, edhe në një marrëdhënie të sinqertë me tjetrin.
Papa mbi një topolino rrëshqet mbi planet. Rimerr traditat më të mira benediktine dhe françeskane të një jete ku veç shpirtit gjithçka është e tepërt dhe e kotë po të abuzohet me të. E madhja, sasia, pompozja, nuk e mbrojnë njeriun nga mjerimi, fundi i tij, nga e keqja. Nuk zgjidhet misteri i ekzistencës materialisht, as nga parajà. Heqja e teprimeve na jep mundësinë ta kushtojmë teknologjinë dhe forcën materiale veprave të mira që i shërbejnë njeriut.
Ati i Shenjtë qeshte nga dritarja e Fiatit të vet 500!
E vogla, e lira, mund të jetë estetikisht e lartë dhe performante me të gjithë cilësinë e saj, poaq e dobishme, ndofta shumë më tepër sesa e stërmadhja.
Edhe dashamirës, edhe sikur thoshte se e vërteta është gazmore, edhe tregonte paradoksin idiot të kësaj bote kur egoizmi duam të na bëjë të lumtur, por na shkakton hidhërim, edhe tallte nga pak me të fortët e kësaj bote, por mbi të gjitha stigmatizonte sherrbudallenjtë e vegjël që kujtojnë se një gjë stërmadhe mund t’i bëjë të vlerësuar në sytë e botës.
Vlerat janë aty poshtë, ku jetojnë njerëzit e thjeshtë, ata që kanë minimumin, por shpesh janë edhe më të lumtur sesa ata që kanë nevojë të fshihen pas maskave gjigandomane e tangëllikut fals.
Papa po vjen me Fiat.
Sikurse Biri i Zotit të tij hyri në qytetin e shenjtë mbi gomar!
Vlera vjen fshehurazi dhe nuk dallohet nga masa e filistinëve. Ajo është shpesh bash e kundërta e asaj që propaganda e mediokritetit na ka bërë ta besojm si e adhurueshme dhe ta ndjekim si modë.












