Komuniteti LGBT nuk është i kënaqur me ligjin për dekriminalizimin duke theksuar se ai përmban disa nene mbi llogjikën e diskriminimit seksual.
Në një letër drejtuar , Kryeministrit Rama, kryetarit të parlamentit, Meta, kryetarit të PD, Basha dhe Ministrit të Drejtësisë, Naco shkruhet se “në propozimet e dërguara nga Partitë kryesore në vend për projektligjin e dekriminalizimit, orientimi homoseksual evidentohet në listën e krimeve si i veçantë krahasuar me të tjerat duke bërë dallimin midis marrëdhënieve seksuale dhe marrëdhënieve homoseksuale.
Më konkretisht në propozimet ligjore veprat penale të cilat e ndalojnë një individ të ushtrojë funksione publike janë ndër të tjera: Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur; Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë metë mitur të moshës 14-18 vjeç; Marrëdhenie seksuale me dhunë me të rritura; Marrëdhënie homoseksuale me dhunë me të rritur; etj
Në letër theksohet se dispozitat e vënë theksin tek orientimi seksual, kur vepra duhet të jetë njëlloj e dënueshme, pavarësisht orientimit apo gjinisë së dhunuesit dhe të dhunuarit;
Komuniteti LGBT i sugjeron komisionit për ligjin e dekriminalizimit në Kuvend të konsultohet me Kodin Penal Italian dhe të Francez.
Sikurse shkruhet në letër “ Kodi Penal italian ka unifikuar veprat e përdhunimit dhe të akteve të luksurisë (njohur në kodin penal shqiptar si Vepra të turpshme), në një figurë të vetme vepre penale, atë të ‘dhunës seksuale’. Nën termin ‘akte seksuale’ janë përfshirë si bashkimi trupor ndërmjet dy sekseve, po ashtu dhe rastet e marrëdhënieve orale, anale dhe homoseksuale, si dhe gjithë sjelljet e tjera të luksurisë (petting, prekje, puthje, etj).
Edhe kodi penal i Francës nuk përmend marrëdhënie të ndara, seksuale ose homoseksuale, por një term të vetëm e konkretisht: “Çdo akt penetrimi seksual, i cilësdo natyrë qoftë, i kryer mbi një person tjetër nëpërmjet dhunës, ….”











