Besimtarët myslimanë në mbarë botën festojnë sot Kurban Bajramin.
Edhe në Tiranë mijëra besimtarë myslimanë, ashtu si çdo vit, nisën kremtimet që në orët e para të mëngjesit me faljen e namazit të Kurban Bajramit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” .
Në faljen e namazit, drejtues dhe përfaqësues të komunitetit mysliman shqiptar përcollën urimet për më shumë paqe dhe begati.
Festimet që i takojnë kësaj dite shënojnë flijimin dhe sakrificën e njeriut në emër të besimit te Zoti dhe në emër të dashurisë për njeriun.
Ajo përbën festën e madhe të mëshirës, të faljes, mirëkuptimit, mirësisë, vëllazërimit dhe paqes.
Krerët më të lartë të shtetit ishin sot të pranishëm në selinë e Komunitetit Mysliman për të përcjellë urimet me rastin e Kurban Bajramit.











