Organi i akuzës po bëhet pengesë për hetimin e rasteve të pastrimit të parave sipas kreut të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Gent Gazheli. Ai tha gjatë një intervistë te Ora News se referimet që kanë përgjigje pozitive nga Prokuroria e Përgjithshme janë minimale.
Genti Gazheli: Shifra e saktë që unë kam dërguar referime pranë Prokurorisë dhe Policisë është 465 për 2014. Duhet të pranoj që nuk është e njëjta përgjigje nga organet respektive, dmth nga Prokuroria organi nga i cili ndjek cështjet që unë referoj. Nuk di të të them sot ekzaktësisht, por janë me gishtat e dorës rastet e çuarjes në Gjykatë.
Por sa para janë ngrirë nga ky institucion?
Genti Gazheli: Nga viti 2013 që unë kam marrë detyrën deri sot që flasim kemi ngrirë 19 mln euro për vitin 2014 dhe deri tani për periudhën 8-mujore kemi ngrirë gati 9.5 mln euro. Që vijnë nga krimi, nga elementë kriminalë, nga droga dhe nga veprimtari të tjera të cilat kanë ardhur si pasojë e hetimeve penale.












