Në prill të këtij viti është vendosur në mënyrë të paqartë që për Elvis Mataj të hiqej mbrojtja nga policia.
Atij i është komunikuar se pas 3 orësh ai nuk do të jetë më i mbrojtur pasi konsiderohet jashtë rrezikut. Kjo gjë e ka çuditur dëshmitarin e qeverisë kundër DIA për një shumë prej 137 milionë eurosh.
Sikurse dëshmon gazetari që publikoi videon, Artan Hoxha, ai ka telefonuar në kabinetin e kryeministrit. Më pas është anuluar heqja e sigurisë për Matajn dhe sipas të dhënave ka patur shtim të ruajtjes.
Hoxha thotë se Mataj ka dëshmuar për kërcënimet në gjykatën e arbitrazhit në Vjenë ku edhe zhvillohen seancat gjyqësore mes qeverisë dhe DIA.
Në një prje këtyre dëshmive Mataj thotë: “Ismailaj ma bëri shumë të qartë sesi ai kishte ndërmend të garantonte interesat e tij në arbitrazh. Një herë tek po qëndronin te bar-restoranti i gruas së tij, Ismailaj më tha se ai ishte shumë i afërt me një nga “Kumbarët” kryesorë të Shqipërisë.
Ai me tha se ky “Kumbar” mund të bënte gjithçka për z.Ismailaj më qëllim që të eliminonte të gjitha pengesat që ai mund të haste në çështjen DIA përballë OSHEE. Ndërsa në një rast tjetër ai ka thënë drejtëpërsëdrejti se Ismailaj e kishte kërcënuar:
Njëherë ish-drejtuesi i DIA-s, Andi Spahiu erdhi tek unë në vitin 2012 dhe më tha se ai ishte takuar me z.Ismailaj dhe se ai Z. Ismailaj mund të porosiste dikë nga Kosova, apo veriu i Shqipërisë apo ndonjë serb që për vetëm 20 mijë euro të më vriste mua ndërsa vetë ai z.Ismailaj ndodhej jashtë. Unë vlerësova se ky ishte një kërcënim serioz për jetën time’ ka deklaruar Mataj.












