Nga Crans Montana, ku ish-kryeministri po merr pjesë në forumin e përvitshëm, Sali Berisha, ndërsa ka bërë të ditur se ka ndërhyrë në këtë forum me një fjalë të tij. Ndërsa ka folur për krimin e korrupsionin, Berisha është ndalur edhe në rastin CEZ dhe duke sjellë si shembull rastin e hetimit ndërkombëtar të presidentit të Guatemalës, ripërsëriti se një instrument i tillë ligjor, mund të aplikohet edhe për rastin e CEZ në Shqipëri.
Reagimi i plotë i Sali Berishës në “Facebook”
“Të dashur miq, në sesionin e pasdites në panelin “Pas terrorizmit qëndron edhe korrupsioni dhe krimi ekonomik”, në ndërhyrjen time theksova se korrupsioni është një tumor i vërtetë gërryes për shoqërinë dhe ekonominë. Lufta pa kompromis dhe bashkëpunimi kundër tij është i një rëndësie të dorës së parë si për vendet e zhvilluara, ashtu dhe për vendet në zhvillim. Heqja e sekretit bankar, gjurmimi dhe hetimi i çdo centi që vjen nga aktivitete korruptive, pengimi i riinvestimit dhe pastrimit në ekonomi është domosdoshmëri nëse duam të ketë sukses.
Në këtë kontekst theksova se bashkëpunimi ndërshtetëror në veprimet hetimore, ashtu sikurse hetimi ndërkombëtar i aferave korruptive që kalojnë kufijtë e vendeve, siç është rasti i CEZ-it, janë instrumente shumë efikase ligjore që shoqëria dhe shtetet kanë në dispozicion në këtë betejë esenciale për zhvillimin dhe përparimin. Rasti i Presidentit të Guatemalës, i cili po hetohet në vendin e tij nga prokurorë amerikanë, ishte vetëm njëri ndër rastet që ilustron bashkëpunimin ndërkombëtar në këtë drejtim, ashtu sikurse të tjerë personalitete nga e gjithë bota, pjesëmarrës në këtë panel, theksuan nevojën e bashkëpunimit duke përmendur raste konkrete që përbëjnë histori suksesi në këtë drejtim”.











