Kombëtarja greke e futbollit në të ardhmen mund të ketë një trajner me pasaportë shqiptare, pasi Gianni De Biasi e ka lënë të hapur mundësinë për të drejtuar këtë përfaqësuese, shkruan Top Channel
Në një intervistë për një radio greke, trajneri italian i Shqipërisë është shprehur se do të ishte i interesuar që të drejtonte Kombëtaren e fqinjit tonë jugor.
“Sigurisht që do të isha i interesuar të drejtoja Kombëtaren greke, ose një skuadër futbolli në Greqi, madje më duhet t’ju them se para një viti e gjysmë kam qenë shumë afër një skuadre të madhe greke”, deklaroi De Biasi.
Tekniku italian ka sqaruar edhe detajet e kontratës. “Kontrata ime skadon më 31 dhjetor 2015, por në kontratë parashihet që në rast kualifikimi, atëherë kontrata mbyllet pas përfundimit të Europianit”, tha De Biasi.
Gianni ka thënë se për të ardhmen do të vendos pas Europianit, nëse do të qëndrojë në stolin e Kombëtares kuqezi, apo duhet të marrrë në konsideratë disa oferta të tjera.
“Do të jem pjesë e Shqipërisë deri pas Europianit dhe pastaj do të shohim. Nuk e di nëse do të qëndroj apo do të shikoj për ofertat e tjera. Gjithsesi, Greqia ka shumë lojtarë të mirë dhe pres që në vitet në vazhdim t’i rikthehet evinimenteve të mëdha”, tha italiani.
Ndërsa në intervistën dhënë portalin e tifozëve lacialë, “La Lazio Siamo Noi”, De Biasi flet për arritjen historike, tifozët, skuadrën dhe familjen, ndërsa cek për një moment edhe raportin me Igli Taren, sot drejtues teknik i Lacios, e dikur “nxënës” i tij.
“E kam stërvitur. Pak kohë më parë kemi folur në telefon. Është gjithmonë pranë kombëtares sonë dhe është i lumtur për ne, për suksesin tonë. Kam folur menjëherë pasi jam thërritur për të stërvitur kombëtaren shqiptare. Që prej atëherë kemi folur akoma më shumë. Ai na ndjek vazhdimisht dhe na mbështet fort”, thotë De Biasi.
Trajneri i kuqezinjve pyetet në lidhje me karakterin e Igli Tares dhe sesa e njihte ai atë në kohën kur e stërviste.
“Ishte një tip që nuk dorëzohej kurrë. Këmbëngulte në forcën fizike. Ishte një lojtar i mirë dhe në fazën ofensive dhe ndihmonte shumë grupin në momentet e vështira”, thotë De Biasi.












