Lulzim Basha foli këtë të enjte në Top Story edhe per lirimin e Ballist Morines
Sokol Balla: Meqë jemi në atmosferën e kualifikimit në europian, nuk ka mbetur lider pa dashur të vjedhë fitoren e Kombëtares, ju si u ndjetë?
Lulzim Basha: Nuk dua të bëhem pjesë e hajdutëve politikë. Do t’u thoja atyre që u munduan ta privatizojnë suksesin e vetëm të shqiptarëve në këto dy vite… në rastin që pata kur u ftova në ceremoninë presidenciale, përjetova emocionet që çdo shqiptar i ndjeu pas fitores me Armeninë dhe pas kualifikimit të Shqipërisë në kampionatin europian.
Sokol Balla: Fole me Ilir Metën në ceremoni?
Lulzim Basha: Jo nuk patëm rast.
Sokol Balla: Çështje mundësie?
Lulzim Basha: Ishte çështje ceremonie. Ishte kombëtarja, ishin ata në qendër të vëmendjes dhe doja dhe duhej të ishin sa më pak politikanët.
Sokol Balla: Pashë në faqen tuaj në Facebook “Lironi Ballist Morinën”, ndërkohë që Flamur Noka e vizitoi në burg. Ju duket normale që të mbroni faktin që një shtetas shqiptar u kap me armë paleje nga policia shqiptare?
Lulzim Basha: Nuk po e mbroj aspak këtë fakt, por duhet ta njohim që Ballisti, është kërcënuar. Ka marrë kërcënime të shumta. Kujtoni që një biznesmen serbo-amerikan vendosi 1 mln euro për kokën e tij pas dronit në Beograd, ndërsa një kolegu i juaj i Neë York Times raportoi që gjatë intervistës merrte kërcënime. Kishte kërkuar mbrojtje nga policia, por nuk e kishte marrë këtë. Nuk mbështes armëmbajtjen pa leje. Fakti është që simbolika e Ballist Morinës u keqpërdor politikisht dhe arrestimi i tij ishte servilosje ndaj Vuçiç që sërish nuk erdhi. Unë kërkova lirimin e tij pasi Shqipëria ishte kualifikuar sepse ai nuk duhej të mungonte në festën e së nesërmes. I qëndroj mendimit që mbajtja e tij pas hekurave nuk i shërben asgjëje, as shtetit ligjor. Ismail Morina mund të procedohet në gjendje të lirë, sipas rregullave.
Sokol Balla: Kjo kërkesë ka ardhur edhe nga LSI, ndërkohë që kemi patur edhe një reagim zyrtar të Presidentit, që ka thënë që aministia…
Lulzim Basha: Amnistia jepet kur është dënuar. Unë kërkoj ndjekjen e tij në gjendje të lirë, me qëllimin që të mos mungonte në festën e madhe të fitores.











