Një prej emrave të rinj të PD-së dhe ndër zyrtarët më aktivë të saj, Ervin Salianji do t’i bashkohet emrave të tjerë për garën e kreut të FRPD. Ai ka deklaruar sot se tërhiqet nga funksionet që ka në PD, si anëtar kryesie dhe drejtues departamenti si dhe kërkoi mbështetje nga të gjithë për garën e tij.
Deklarata:
“…Unë shpall sot kandidaturën për kryetar të Forumit Rinor të Partisë Demokratike te Shqiperise. Kjo do të thotë tërheqje nga të gjitha funksionet e mia në parti; si anëtar Kryesie dhe drejtues i Departamentit të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.
Kontributi im në PD fillon që në bankat e shkollës: Unë jam rritur me ju dhe me këtë formacion politik. PD është shtëpia ime dhe ju familja e dytë. Si fëmijë, e për vite me radhë, profili politik e njerëzor i Sali Berishës më ka mbushur me frymëzim e besim. Si student e në vazhdim, fryma e re që solli në PD dhe politikë Lulzim Basha ka emancipuar te unë njeriun politik modern. Të dyve u jam mirënjohës.
Çka thashë për ‘familjen e madhe’ shkon edhe për të ‘voglën’: për dashurinë, inkurajimin, zemrën e madhe e dorën në sup të prindërve të mi dhe vëllezërve. Ne jemi një parti e djathtë, kjo do të thotë: Ne jemi për Familjen, Atdheun dhe Zotin.
Nën këto vlera, që besoj janë edhe tuajat, kërkoj mbështetje për kandidaturën time për detyrën e kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. E kuptoj shumë mirë se nuk do ta keni të lehtë zgjedhjen: ata që kam përballë janë vajza e djem të mrekullueshëm. Brenda garës së ndershme, në ditët në vijim, do t’u paraqes platfomën time. Ajo do të jetë Kontrata ime me ju dhe Partinë Demokratike, dhe për atë pakt do e kërkoj besimin dhe votën tuaj.”












