Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ish-kryetari Sali Berisha, marrin pjesë në Kongresin e Partive Popullore Europiane (EPP) që zhvillohet në 21 dhe 22 tetor në Madrid, Spanjë.
Kongresi do të zgjedhë drejtuesit e rinj të PPE, Presidentin, Zëvendëspresidentët, Sekretarin e Përgjithshëm.
Për herë të parë Partia Demokratike e Shqipërisë merr pjesë si anëtare me të drejta të plota e PPE-së dhe do të ushtrojë të drejtën e votës.
“Në këtë kongres do të trajtohen një gamë e gjerë e sfidave me të cilat përballet Europa sot, nga siguria tek rimëkëmbja ekonomike. Kongresi do të fokusohet në politikat e jashtme dhe ato të sigurisë të tilla si migrimi dhe lufta kundër terrorizmit, si dhe çështje të një rëndësie të madhe në axhendën europiane si rritjen, punësimin, një treg dixhital të përbashkët, ndryshimet klimatike dhe partneritetin midis Europës dhe SHBA”, bën me dije njoftimi për shtyp.
Në këtë Kongres do të marrin pjesë mbi 2000 pjesëmarrës, përfaqësues të partive anëtare të PPE nga 40 vende, ku spikasin 16 krerë qeverish dhe shtetesh si dhe delegacioni i PDSH i kryesuar nga Kryetari Lulzim Basha.











