Kryeministri Edi Rama deklaroi në Opinion të Blendi Fevziut se arrestimi i Ballist Morinës nuk ka pas ndonjë skenë paraprake të përgatitur. Ai tha se u arrestua nga policia pasi u gjet me armë pa leje.
Në vijim ai nuk hezitoi të fliste ashpër ndaj Ballist Morinës duke theksuar se ai nuk është ndonjë hero. “Ku eshte shkruar , në cilin ligj është thënë se kur je i kërcënuar mban armë pa leje, se kur mban armë pa leje konsiderohesh edhe hero”, tha Rama.
Lidhur me vizitën e Spartak Brahos në qelinë e tij në burg, Rama tha se është cështje tifozësh. “Thjesht është cështje tifozësh, ka shkuar të festojë bashkë me të”, tha ai.
Kryeministri Rama nuk pranoi të komentonte rreth akuzave se arrestimi i Morinës ishte një kusht i Vucic. “Janë vulgaritet të një niveli që nuk denjoj të merrem me to”, theksoi Kryeministri.
Lidhur me kërkesën e opozitës për lirimin e Ballist Morinës ai tha se nuk është normale që kryetari i opozitës , njeriu që pretendon të bëhet Kryeministër bën thirrje që të lirohet një person që është arrestuar nga policia për armëmbajtje pa leje dhe është në një proces gjyqësor.












