Ministria e Arsimit ka publikuar udhëzimin për testimin e mësuesve, për të parë nevojat që ata kanë për t’u kualifikuar. Ky udhëzim vjen pas një viti të plotë që ministrja Lindita Nikolla ka deklaruar se mësuesit e sistemit arsimor parauniversitar do të testohen. Por siç ishte argumentuar edhe më pas nga drejtues të lartë të MAS, testimi ka të bëjë vetëm me identifikimin e nevojave që kanë mësuesit për t’u kualifikuar, gjë kjo që saktësohet edhe në udhëzim. Udhëzimi nr.42, i cili mban datën 15.10.2015 ka parashikuar fushat se ku do përqendrohet testim i arsimtarëve në mbarë vendin.
Provimi apo instrumenti, siç është termi që përdoret në udhëzim, do të jetë në formë dixhitale dhe në total do të ketë 30 pyetje me alternativa. Në këtë vlerësim, i cili pritet të nisë në fillim muajit nëntor me mësuesit e Tiranës, do të hyjnë edhe drejtuesit e shkollave, edhe pse sipas udhëzimit, marrja pjesë në këtë vlerësim nuk është me detyrim.
Janë 4 disa fusha, të cilat kanë të bëjnë me formimin e përgjithshëm të mësuesit si: planifikimi, mësimdhënia dhe të nxënit, etika dhe komunikimi, zhvillimi profesional. Secila prej këtyre fushave ka disa çështje, të cilat kanë lidhje me formimin e mësuesit dhe në bazë të testit të instrumentit do të shikohen nevojat për kualifikim për secilin prej mësuesve.
Instrumenti përmban 30 kërkesa me alternative. Instrumenti zhvillohet për 60 minuta në formë dixhitale. Në përfundim të pyetësorit, mësuesi njihet menjëherë me përgjigjet e instrumentit që ka plotësuar.
Në varësi të rezultateve të testit (instrumentit), për secilin mësues përcaktohen fushat ku ai ka nevojë për zhvillim profesional.
Sot pritet që ministrja e Arsimit, Nikolla të zhvillojë një takim me mësuesit e Tiranës për t’i informuar më shumë në lidhje me këtë proces, i cili do të nisë fillimisht me mësuesit e shkollave të kryeqytetit.balkanweb











