Pasi u lëshoi rrufetë e arrogancës dhe injorancës, pasi ua ka nxirë jetën të gjithëve dhe pasi ua ka mbyllur qepenat mijëra prej bizneseve, kryeministri i rrëzuar nga gremina e ekonomisë dhe mali i skandaleve të korrupsionit me tenderat publikë, u kujdes sot të inskenonte një komunikim me përfaqësuesit e biznesit në një seminar të mbyllur.
Nuk dua të ndalem te ilariteti që shkaktoi përballja e tij me pyetje dhe probleme që nuk ja ka haberin. Që nuk u dha mundësi të shpaloseshin, sepse brenda tyre gjendet e ngjizur revolta e sipërmarrjes së vogël dhe biznesit në tërësi me këtë qeveri dhe këtë kryeministër.
Do të ndalem te “sihariqi” që dha në përgjigje të njërës prej pyetjeve. Bandat e tatimoreve nuk do të shkojnë më sa herë t’i teket të dhunojnë sipërmarrësit në dinjitetin e tyre, siç po bën prej muajsh. Qeveria do të vendosë në derë certifikatën e detyrimit të shlyer dhe pas kësaj mund të punojnë të qetë.
Siç e kuptojnë menjëherë gjithë sipërmarrësit e vegjël në vend, qytetarët me të cilin kemi qenë dhe jemi në një bashkëbisedim intensiv, ky është thellësisht propozimi që unë dhe Partia Demokratike kemi bërë prej më shumë se një muaji.
Sigurisht, paketa jonë për biznesin e vogël është shumë me e gjerë dhe më e plotë se kaq. Ajo përmban përcaktime të reja, realiste dhe nxitëse, se çfarë duhet konsideruar biznes i vogël duke e rritur tavanin deri në 120 milionë lekë të vjetra; përmban taksa proporcionale në vartësi të xhiros, 20 deri në 120 milionë lekë, përmban uljen e çmimit të energjisë dhe naftës dhe të tjera masa lehtësuese.
Si çdo kopjim i keq dhe mekanik, edhe ky që kryeministri i rrëzuar i ka bërë paketës sonë është i bastarduar, i pjesshëm, demagogjik, inefiçent. Ndonëse si autorë të propozimit për vendosjen e pullës fiskale në xhamin e çdo biznesi të vogël, që do të jetë dokumenti i sprapsjes së çdo tatimori që urdhërohet të bëjë apo do të dojë të bëjë xhandarin, garipin dhe zhvatësin, ne nuk mund të mos na vijë mirë që edhe pse në kushtet e panikut kryeministri i rrëzuar e përvetësoi propozimin tonë dhe e shpalli sot para biznesit të vogël.
Etika minimale sigurisht e donte që ai të njihte autorësinë e këtij propozimi në realitetin shqiptar të debateve të freskëta mes opozitës dhe qeverisë, pse jo të falënderonte Partinë Demokratike dhe opozitën. Jo se kemi nevojë për falënderimet e tij, por kjo është një normë elementare në sjelljen politike dhe njerëzore.
Në mungesë të saj, në mungesë të etikës, na mbetet të themi bashkë me gjithë sipërmarrjen se një kryeministër, të cilit nuk i dridhet dora të destinojë miliarda lekë të shqiptarëve për miqtë dhe ministrat e tij të korruptuar, nuk është problem fare që kopjoj një propozim, vjedh një propozim dhe të hiqet sikur e ka të tijin.
Çfarë është e rëndësishme?! E rëndësishme është se sot gjithë sipërmarrësit dhe qytetarët e mirë-informuar gjithashtu kanë mësuar e kuptuar akoma më mirë se rruga e zgjidhjes, rrugët e zgjidhjes për nxjerrjen e ekonomisë nga gremina ku e ka zhytur Edi Rama dhe për vendosjen e saj në kursin e ringritjes , është rruga që propozon Partia Demokratike dhe unë.
Akoma më e rëndësishme është zbatimi konkret dhe pa humbur kohë i propozimit për pullën fiskale, apo për certifikatën, siç e quajti kopjaci për të mos u dukur kopjac.
Sepse, e dimë të gjithë: ky kryeministër ka zakonin e keq që bën atë që nuk thotë dhe thotë atë që nuk bën; premton atë që do të braktisë dhe “mban” fjalën e pa dhënë, e pathënë; i intereson vetëm propaganda, i intereson vetëm të shtyjë ditët.
Partia Demokratike dhe unë ne do të shtyjmë dhe do të ngulmojmë me forcë, në bashkëpunim me sipërmarrjen e vogël, për çlirimin e saj nga trysnia poshtëruese e arrogancës, dajakut dhe kusarisë qeveritare të Edi Ramës.
Me gjithë peshën e veçantë që ka, pulla fiskale është vetëm një element i paketës që do të çlirojë, frymëzojë dhe linçojë sipërmarrjen e lirë në Shqipëri. Opozita e ka ketë paketë, të cilën po e konsulton dhe po e konsolidon në komunikim të hapur me sipërmarrjen e lirë, me qytetarët para se ta paraqesë në formë institucionale si programin qeverisë së Partisë Demokratike.
Unë deklaroj sot se kapja apo kacavarja pas një elementi të veçantë të paketës së ringritjes dhe dinjitetit të sipërmarrjes, siç është pulla fiskale, duke injoruar elementët e tjerë, është tregues i qëndrimit prej të mbyturi, i politikave demagogjike dhe improvizuese, që nuk të çojnë askund, që nuk e nxjerrin ekonominë nga gremina.
Qeveria dhe kryeministri i rrëzuar kanë treguar qartë këto dy vite se u mungon vizioni, u mungojnë zgjidhjet, u mungon aftësia, u mungon përgjegjësia, u mungon integriteti dhe ndershmëria për të qeverisur shqiptarët.
Edi Rama me qeverinë e tij në një anë dhe ekonomia në anën tjetër janë në armiqësi permanente. Kjo marrëdhënie ka lindur kështu qysh ditën e parë dhe vetëm është përkeqësuar.
Me dajakun në një dorë dhe duke grabitur pasuritë publike me dorën tjetër, kjo qeveri nuk mund të prodhojnë kurrë as paqe, as zhvillim, por vetëm rrokullisje dhe përkeqësim.
Tani që mandati i saj ka hyrë në fazën e kompromentimit dhe degjenerimit të përshpejtuar, i shtrënguar në darën e skandaleve, gafave, injorancës dhe arrogancës të tij, Edi Rama po përpiqet të marrë pak frymë duke kopjuar si një nxënës i keq opozitën. Por nuk kalohet klasa me kopje.
Megjithëse në thelb kopjimi është dhe mbetet forma më e lartë e vlerësimit.
Jo vetëm biznesi por me këtë akt tashmë edhe kryeministri ka pranuar dështimin e tij, rrëzimin e tij, mungesën e vizionit, vullnetit, padrejtësinë dhe arbitraritetin e tij, ka pranuar se ai është problemi dhe ka pranuar se propozimet e bëra nga ne, nga Partia Demokratike, nga unë, janë zgjidhja dhe rruga e daljes nga kjo krizë.
Përtej anatemimit nervoz dhe në panik, ky është konfirmimi zyrtar nga Edi Rama për vlerat e Partisë Demokratike si alternativë politike, po afirmon çdo ditë të ofertës tonë, për taksën e sheshtë më të ulët në Ballkan prej 9 %, për biznesin e vogël deri në 120 milionë lekë që do të paguajë midis 10-60 mijë lekë të reja në vit taksë në varësi të xhiros të evidentuar me pullë fiskale, që është edhe tabela ndalim-kalimi për tatimorët, për ulje e çmimit të energjisë, për uljen e çmimit të naftës dhe për faljen e kamat-vonesave për të gjithë shqiptarët.












