Masat e sigurisë rreth selisë së Partisë Socialiste u përforcuan pas incidentit ku një grup studentësh qëlluan me vezë ndaj Kryeministrit Rama.
Pas incidentit me të rinjtë që e goditën me vezë, Edi Rama drejtoi mbledhjen e grupit parlamentar të PS-se, ku ranë në sy masat e shtuara të sigurisë. Vetë Rama nuk komentoi ngjarjen.
Mbledhja e grupit parlamentar u drejtua nga vetë kryetari dhe zgjati jo më shumë se 30 minuta. Në përfundim të saj, Rama u pyet nëse do të kërkojë lirimin e studentëve të ndaluar nga policia, por Kryeministri nuk preferoi të komentonte incidentin.
Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, mësohet se Rama ka kërkuar nga deputetët e tij që të shtojnë punën në bazë dhe të zbresin më shumë në terren.
U mundua të japë edhe vetë shembullin, ndërsa ndaloi të takonte disa qytetarë. I vetëdijshëm për prezencën e kamerave, bisedën me ta e shfrytëzoi edhe për të treguar se nuk i trembej kontakteve me popullin pavarësisht se u godit me vezë nga një grup të rinjsh.











