
Ministri i Drejtësisë Nasip Naco i cili dha dorëheqjen sot nuk ka pasur marrëdhënie të mira me Kryeministrin përgjatë periudhës së hartimit të reformës në drejtësi. Kjo duket qartë edhe në tekstin e dorëheqjes ku tashmë ish-ministri Naco shprehet për një largim që mund të krijojë kushte për nivel më të lartë bashkëpunimi.
Ja teksti i plotë:
I nderuar z. Kryeministër,
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin e deritanishëm, por duke qenë i bindur se Reforma në Drejtësi dhe përmbushja e një roli më thelbësor të Ministrisë së Drejtësisë në përmirësimin e mirëqeverisjes dhe funksionimit të drejtësisë kërkon një nivel më të lartë të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të të gjithë aktorëve, jap dorëheqjen time si Ministër i Drejtësisë.
Duke shpresuar që në çdo rast ky akt të ndihmojë në krijimin e klimës së bashkëpunimit të kërkuar për reformimin e sistemit të drejtësisë,
Ju uroj suksese në përmbushjen e obligimeve tuaja si Kryeministër.
Ministri Nasip Naco ishte anashkaluar nga reforma në drejtësi. Kryeministri ia kaloi këtë proces tërësisht Parlamentit, në fakt një prej njerëzve të tij më të afërt për problemet e drejtësisë, kryetarit të komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.
Procesi i hartimit të reformës është ndër më të kritikuarit nga opozita por edhe shoqëria civile për shkak të mungesës së transparencës dhe mbylljes tek një grup personash afër Kryeministrit.











