Prej dorëheqjes së djeshme të Nasip Naços nga ministër i drejtësisë, por për më tepër zëvendësimi i tij me Ylli Manjanin, komentet mediatike por edhe politike, e kanë etiketuar këtë “ngjarje” si demonstrim të forcës nga Ilir Meta. Nuk kanë munguar edhe etiketimet, se, “Meta është kryeministri real i vendit”.
Pikërisht, një përpjekje e gazetarëve për ti marrë një koment kryeministri teksa ai kishte dalë në një konferencë shtypi me ambasadoren e BE-së Romana Vlahutin për progres-raportin e KE-së për Shqipërinë, jo se ka dështuar, por ka mundësuar një acarim dhe humbje qetësie nga Edi Rama, i cili është hedhur në sulm ndaj medieve.
“Këto janë lajme nga këneta s’kam ça komentoj. Kur unë kur flas për këneta mediatike s’flas për mediat në tërësi por kënetat mediat në hapësirën ku operon media shqiptare dhe ashtu sikundër media këtu ka lirinë të thotë ça të dojë, të shpifë sa të dojë, të akuzojë kë të dojë, ka luksin për të mos bërë asnjë përpjekje të verifikojë ato që shkruan. Por media s’mund të sillet si lulja mos më prek në kuptimin e fjalëve se në kuptimin e veprave s’di asnjë rast të një kërcënimi, presioni apo sulmi të organizuar apo mbështetur nga qeveria ndaj mediave. Qeveria ka absolutisht shumë për të korrigjuar. Jemi larg së qenit të pa gabueshëm, të përsosur, por besoj se po aq lart jeni edhe ju, kështu që në këtë pikë, jemi bashkëvuajtës por jo bashkëfajtorë”, vazhdoi Rama retorikën e tij të stërzgjatur.












