Një rast i “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”, ka përfunduar me ndalimin nga policia e Dibrës e një notere, si dhe të një tjetër personi.
Burimet zyrtare të drejtorisë së Policisë së Qarkut të Dibrës, bëjnë të ditur se , sot, nga ana e Sektorit për Krimin Ekonomik Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe të një pune të mirë-organizuar u bë ndalimi i Majlinda Jangulli, 47 vjeçe lindur në Strikçan Bulqizë dhe banuese në Tiranë, me detyrë notere në qytetin e Peshkopisë.
Të njëjta burime saktësojnë se ndalimi i saj u bë për veprat penale të “Shpërdorim të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve” parashikuar nga nenet 248 dhe 186/3 i Kodit Penal.
Sipas policisë, mësohet se nga informacionet që dispononte Sektori për Krimin Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Dibër, ka rezultuar se nga ana e noteres Majlinda Jangulli më datë 26. 04. 2010, me Nr. 1136 Rep, NR. 225/1, Kol., është përpiluar një kalim pronësie e paluajtshme ( kontratë shitje) në emër të shtetases N. K. e cila rezulton të ketë vdekur më datë 25. 05. 2004, gjë e cila është vërtetuar edhe nga Certifikata e Vdekjes.
Gjithashtu, sipas të njëjtave burime, mësohet se më datë 05. 10. 2015, është nënshkruar kontrata e shitblerjes numër Nr. 3744 Rep., NR. 1217/1 Kol., për të cilën shtetasi Q. L., nuk ka qenë prezent.
Për këtë ngjarje, në vijim të veprimeve u bë ndalimi edhe i 32-vjeçarit Ylber Lami, lindur në fshatin Cerjan Dibër. Ndalimi i tij u bë pasi po në këtë datë, 05. 10. 2015, ai ka nënshkruar një kontratë shitblerje me numër Nr. 3744 Rep. NR. 1217/1 Kol., për të cilën shtetasi Q. L., nuk ka qenë prezent.
Materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Dibër për shtetasen Majlinda Jangulli për veprën penale të “Shpërdorim të detyrës” dhe “ Falsifikimit të dokumenteve nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin” parashikuar nga nenet 248 dhe 186/3 i Kodit Penal, si dhe për Ylber Lami për veprën penale “Falsifikimit të dokumenteve” neni 186.











