Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani i njohur për deklaratat e tij kundër policisë, veçanërisht në luftën kundër kanabist, që sipas Manjanit, mund zhdukej vetëm duke u futur policia në aksion, vijon ende kritikat.
Me anë të një postimi në Twitter, Manjanin duket se nuk e kanë kënaqur shkarkimet e fundit në komisariatin e Kurbinit dhe Lezhës, ndërsa komenton se për të çkanabizuar Shqipërinë ka ende të tillë policë në Vlorë, Sarandë, Gjirokastër e Durrës.
“Ka ende shumë policë, të policisë që deshën, në Vlorë, Sarandë, Gjirokastër e Durrës! Duhet pastruar Policia që të ç’kanabizohet Shqipëria!”.
Shefi i Komisariatit të Kurbinit, Feliks Hysi si dhe 5 punonjës të drejtorisë së policisë vendore Lezhë dhe komisariatit Kurbin u përjashtuan të dielën nga radhët e policisë së shtetit për favorizim të kultivimit të lëndëve narkotike. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako tha se masat janë marrë pas konstatimit të një parcele me 513 fidanë kanabis në rrethin e Kurbinit.











