Dyshohet se tre persona kanë mbetur të vdekur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, në një operacion për kapjen e të dyshuarve për terrorizëm në Paris.
Të shtëna me armë zjarri janë shkëmbyer në periferi të Parisit, pasi policia anti-terror rrethoi një apartament ku besohet të jetë fshehur organizatori dhe financuesi i sulmeve të së premtes në Paris, Abdelhamid Abaaoud.
Të shtënat janë shkëmbyer ndërmjet tre terroristëve të dyshuar dhe policisë gjatë operacionit të policisë në zonën e quajtur Saint Denis, që filloi rreth orës 4.30 të mëngjesit.
Operacioni është zhvilluar në periferi të Parisit në Saint Denis dhe objektiv, ka qenë kapja e trurit të atentateve të së premtes së 13 nëntorit, Abdelhamid Abaaoud. Policia ka identifikuar një apartament që përdoroj si bazë nga terroristët e dyshuar në Saint-Denis, tha zëdhënësi i policisë Jean-Alphonse Richard për RTL, duke shtuar se i dyshuari i nëntë i sulmeve të Parisit dhe bashkëpunëtorët e tij ishin në shënjestër të kësaj bastisjeje. Zëdhënësi i policisë shtoi se të paktën tre oficerë janë plagosur dhe janë arrestuar 3 persona.
Të dyshuar të tjerë thuhet se janë izoluar në një apartament. Ndërkohë tre persona kanë mbetur të vrarë. Midis të vrarëve dyshohet se një është një femër, e cila u vra para se të vetëhidhej në erë. Ndërkohë, dyshohet se viktimë mund të jetë edhe në banor i zonës.











