Elisa Tabaku, 31-vjeçarja nga Tiranë, u arrestua tri ditë më parë nga Policia e Durrësit së bashku me katër anëtarët e tjerë të grupit kriminal. Por gjatë marrjes në pyetje mësohet se ajo ka mohuar çdo implikim të saj në trafik, duke u kujtuar hetimorëve se ajo ka një rrogë 1700 euro e për rrjedhojë nuk kishte arsye pse të përfshihej në veprimtari të paligjshme.
“Unë kisha një punë shumë të mirë dhe isha e kënaqur me pagën që merrja. Nuk kisha nevojë të ndërmerrja një veprim të tillë, për të shpërndarë apo trafikuar drogë. Kam njohje shoqërore me njërin prej të arrestuarve, Mariglenin (Mirgen Huba, 32 vjeç, nga Tirana), por vetëm kaq. Nuk kam ndonjë njohje të ngushtë me asnjë prej personave të akuzuar. Njihemi vetëm si shokë”, mësohet të ketë deklaruar shkurtimisht 31-vjeçarja, e cila ka kërkuar më pas të përfaqësohej nga avokati i saj.
Ndërkohë, burime nga grupi hetimor thanë se dosja është kopsitur dhe pesë të dyshuarit janë arrestuar në flagrancë, pasi u siguruan prova për implikimin e tyre. Të njëjtat burime bënë të ditur se është zbuluar roli i secilit prej të arrestuarve.
Sipas tyre, veç 31- vjeçares, e cila dyshohet se shfrytëzonte postin në traget dhe çonte drogë në Itali, duke qenë se kalonte pa kontrolle të detajuara, është zbuluar edhe personi që e furnizonte rrjetin me lëndën narkotike. Mësohet se anëtarët e grupit kriminal furnizoheshin nga Denis Grabovari, nga Shijaku.
Të njëjtat burime thanë se 31-vjeçarja dyshohet se u shpërndante drogë edhe disa prej të njohurve. Këta të fundit e shpërndanin më pas për përdorim të brendshëm.
“Elisa Tabaku, 31-vjeçarja nga Tirana, e cila u arrestua tri ditë, si pjesë e një grupi prej 5 personash që trafikonin lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, heroinë, kokainë, kanabis sativa, dyshohet të ketë zhvilluar aktivitetin duke shfrytëzuar pozicionin e saj të punës. Mësohet se 31- vjeçarja ka mbaruar ekonomikun dhe zotëron disa gjuhë të huaja. Duke u nisur dhe nga pozicioni i saj i punës si pjesë e ekuipazhit të tragetit (shefe e hotelerisë), për 31-vjeçaren ka dyshime se trafikonte drogë edhe në vendin fqinj”, thanë burime të policisë.
Goditja e rrjetit të trafikantëve të Durrësit u bë në saje të operacionit të koduar “Miks”, i cili u finalizua me prangosjen e 5 personave: Besmir Basha, 30 vjeç, banues në Durrës; Denis Grabovari, 35 vjeç, banues në Durrës; Mirgen Huba, 32 vjeç, banues në Tiranë; Lulzim Isai, 49 vjeç, banues në Shijak, dhe Elisa Tabaku. /Panorama











