Komisioni i Sigurisë Kombëtare ka qenë sërish arenë e sherrit verbal dhe fyerjeve midis deputetëve. Megjithëse mbledhja e sotme ka qenë me dyer të mbyllura, mësohet se deputetët Asllan Dogjani i Partisë Demokratike dhe Pirro Lutaj i Partisë Socialiste janë konfliktuar me njëri-tjetrin verbalisht, ndërsa tonet e larta janë dëgjuar deri në korridorin e kryesisë së Kuvendit.
Debati mes tyre është bërë gjatë kohës që Komisioni po shqyrtonte buxhetin e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe një përfaqësues i SHISH, ishte duke raportuar.
Nuk është hera e parë që Komisioni i Sigurisë shërben si ‘arenë’ beteje mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës. Disa herë deputetët janë përplasur edhe fizikisht me njeri tjetrin, ku protagonist kanë qenë Deputetë Armando Penga, apo edhe ish-deputeti Arben Ndoka.












