Këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Këshillin e Bashkisë së Durrësit kanë dalë kundër këshilltarëve, të aleatëve të tyre të Partisë Socialiste dhe kanë imponuar shtyrjen e vendimit për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Ndërsa nga ana e këtij këshilli është miratuar paketa fiskale me taksat e reja të vitit 2016, nuk ka ndodhur kjo për ujin.
Këshilltarët e LSI-së, (13 në Këshillin Bashkiak) kanë këmbëngulur që të mos kalohet çështja e rritjes së taksës për ujin. Sipas tyre, dokumentacioni nga ndërmarrja e Ujësjellësit duhet të ishte më i plotë, duke e shtyrë diskutimin në mbledhjen e ardhshme.
Kryebashkiaku Vangjush Dako e vlerësoi punën e ndërmarrjes me nota pozitive. Ai tha se kjo ndërmarrje kur kaloi në varësi të bashkisë arrinte deri në 50 për qind të arkëtimeve, ndërsa sot arrin deri në 80 për qind. Por, pavarësisht performancës së lartë, me këtë çmim që ofrohet sot për ujin, ndërmarrja rezulton me humbje.
Nga ana e kreut të këshilltarëve të LSI-së, Flutura Kone u kërkua dorëzimi i dokumenteve shtesë dhe shtyrja e vendimit në një seancë tjetër. Pritet që në seancën e ardhshme të konkludohet me vendim nëse do të rritet apo jo tarifa mujore e ujit për konsumatorët.












