Udhëzimi për ligjin e ndryshuar të gjobave do të hyjë në fuqi, ky lajm është bërë i ditur nga Ministria e Financave. Në këtë udhëzim paraqiten shembuj kur biznesi gjobitet për moslëshim të kuponit tatimor, mosregjistrim adrese, apo mënyrën se si mund të vetëkorrigjohet për rastet kur ka fshehur të ardhurat.
Gjithashtu në draft përcaktohet mënyra se si tatimorët i konfiskojnë biznesit 50% të xhiros ditore, por jo më shumë se detyrime tatimore që ai ka pa shlyer. Për këto detyrime të pashlyera ka filluar mbledhja e tyre me forcë nga tatimorët, të cilat përcaktohen në udhëzim. Në draft, mbledhja me forcë e të ardhurave tatimore rregullohet në pikën 98.1, ku pas fjalëve “administrata tatimore” shtohen fjalët “njëkohësisht me procedurat e tjera të vjeljes me forcë të detyrimit tatimor të përcaktuara në ligjin e procedurave tatimore”.

Ministria e Financave përcakton se kuponi tatimor në bare duhet të lëshohet për çdo porosi që bëhet nga tavolina. Udhëzimi shpjegon se “Me porosi të kryer nuk nënkuptohet porosia nga çdo person, por porosia e kryer për çdo tavolinë.
Ndërkohë, nëse e njëjta klientelë kryen një porosi të dytë, atëherë me dorëzimin e porosisë ajo pajiset me kuponin tatimor për porosinë e dytë”. Në rast të kundërt, biznesi gjobitet 500,000 lekë. Një tjetër shembull që jepet në udhëzim është se biznesi gjobitet po ashtu me vlerë 500,000 lekë, nëse nuk ka të regjistruar në QKR adresën e dytë të degës së biznesit, por në tjetër qytet. Në këtë rast biznesi gjobitet për mospërditësim të dhënash për adresën e dytë, pavarësisht se adresën kryesore si subjekt e ka të regjistruar në një qytet tjetër.

Subjekti nuk i shpëton gjobës edhe në rast se mallin që ka në përdorim në këtë adresë të dytë e ka me deklaratë tatimore. Udhëzimi i Ministrisë së Financave do të zbatojë ligjin e ndryshuar të gjobave, që ka hyrë në fuqi më 12 nëntor.












