Një padi jo e zakontë është paraqitur në Gjykatën e Tiranës disa ditë më parë. Ylli Sh, ka vendosur të padisë vjehrrin Refik H, dhe të kërkojë një dëmshpërblim të lartë prej tij, pasi më herët kishte rënë pre e dhunës në familje nga babai i gruas. Sipas vendimit të gjykatës, Refik H, është cilësuar fajtor për akuzën e dhunës në familje ndaj dhëndrit të tij, Ylli Sh.
Gjykatësi Besnik Hoxha ka firmosur dënimin me 6 muaj burg për 67vjeçarin, dënim të cilin e ka pezulluar, duke e detyruar të pandehurin të mbajë kontakte për 18 muaj me Shërbimin e Provës.
Refik H, është cilësuar fajtor për dhunën e ushtruar ndaj dhëndrit të tij, ky i fundit ka vendosur që të kërkojë dëmshpërblim për dëmet. Konkretisht ai kërkon të shpërblehet për dëmin pasuror dhe jopasuror dhe dëmtimet shëndetësore të pësuara nga vepra penale të dhunës në familje.
Gjithashu dhëndëri kërkon edhe shpërblim për dëmin biologjik, moral dhe ekzistencial të pësuar nga vepra penale. Ndërkaq, kërkon nga gjykata ta detyrojnë vjehrrin e tij që të paguajë edhe shpenzimet gjyqësore që do të kryejë gjatë procesit. Padia e tij është hedhur në short dhe mban nr. 14350.Gjykatësi Adriatik Bocaj do të vendosë pasi të dëgjojë pretendimet e palëve.
NGJARJA
Në vendimin e gjykatës që dënoi me dënim me kusht Refik H, sqarohen të gjitha rrethanat e ngjarjes, ku ai ushtroi dhunë ndaj dhëndrit. Konkretisht thuhet se Ylli Sh, ka qenë i martuar me M.Sh, nga kjo martese kanë lindur dhe tre fëmijë. Më datë 08.10.2014 rreth orës 22.30 ka pasur një debat të vogël me gruan pasi ajo donte të bënte fizkulturë në sallonin e pritjes. Ylli i ka thënë të mos bënte fizkulturë dhe në një moment është nervozuar duke e qëlluar M., me një shpulle në kokë.
Ajo ka filluar të qaje dhe është larguar nga dhoma tjetër. Pas disa minutash kur Ylli Sh, ka qenë në gjumë në krevat, aty ka ardhur vjehrri i tij, i pandehuri Refik H, së bashku me dy djemtë dhe e kanë goditur në trup. Në vendngjarje ka shkuar policia dhe i ka shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr.3 Tiranë.
M.Sh (bashkëshortja e Yllit) ka shpjeguar se bashkëshorti i saj është i sëmurë dhe se ditën e ngjarjes në shtëpi ka ardhur babai i saj Refik H, së bashku me vëllezërit e mi pas i kishte njoftuar vajza Klaudia Shehu, ajo ka dëgjuar Yllin që bërtiste me zë të lartë, por se nuk ka pare se çfarë ka ndodhur në dhomë.
Punonjësit e policisë i kanë shoqëruar në Komisariatin Nr.3 dhe aty është marrë edhe kallëzimi i shtetasit Ylli Shehu. Sipas aktit të ekspertimit mjekoligjor nr.1270 datë 13.10.2014 tek i dëmtuari Ylli Sh, konstatohet se “ka shembje të kokës dhe trupit, enjtje, dërrmishje, dëmtimet janë shkaktuar me mjet të fortë, por ato hyjnë në kategorinë e dëmtimeve, të cilat sjellin si pasojë humbjen e aftësisë për punë në masën deri 9 ditë”.
I pandehuri Refik H, ka pranuar faktin se e ka goditur të dëmtuarin, për shkak se ka qenë i mërzitur se e trajtonte keq vajzën e tij dhe ka qenë shumë i tronditur. Në këto rrethana i pandehuri Refik H, ka konsumuar plotësisht elementët e figurës së veprës penale të “Dhunës në familje”, shkruan Gazeta Shqiptare.












