Kryetari i PD-së, Lulzim Basha duke përshëndetur konventën bëri thirrje për pjesëmarrje të gjerë në protestën e së martës.
8 dhjetori tha ai është dita e zbritjes masive popullore në sheshin “Skënderbej” dhe marshimin drejt bulevardit për shkarkimin e qeverisë Rama-Meta, largimin e qeverisë së katastrofës kombëtare.
Mashtrimi është pafytyrësia e Edi Ramës, tha Basha. Kanë vjedhur 400 milionë dollarë në dogana e tatime, 600 milionë euro vetëm në aferën CEZ. Krimin e kanë ngritur në sistem e janë bërë njësh me krimin.
Ai deklaroi se kjo qeveri e dogji mandatin e saj 4 vjeçar në dy vjet. Janë kriza për ekonominë e vendit. Janë grabitja, korrupsioni eksodi dhe kthimi prapa 25- 26 vit më parë në kohët më të errëta të byrosë politike të hajdutëve të kapardisur si kokosha me pasurinë 200 milionë euro. Kjo qeveri është drama e një kombi të tërë. Kupa është derdhur durimi i Shqiptarëve ka marrë fund. Bashkohemi për një zgjidhje dhe zgjidhja është largimi i qeverisë Rama-Meta, deklaroi kryetari i PD-së para mijëra të rinjve të kryeqytetit.
Basha mbylli fjalën e tij me thirrjen për largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeverie teknike që të përgatisë zgjedhjet e reja.
“Më 8 dhjetor nisim përballjen pa kthim” tha Basha, ndërsa nga salla të rinjtë e ftuar në konventën e FRPD thërrisnin “Poshtë qeveria”.












